Miq apo rivalë? JD Vance dhe Marco Rubio janë dy figurat më të rëndësishme të administratës së Donald Trump dhe marrëdhënia mes tyre ka marrë gjithmonë vëmendje.
Kjo jo vetëm për faktin se puna e tyre është ngushtë e ndërlidhur, por edhe pse të dy pritet të jenë në garën republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Megjithatë ditët e fundit media të ndryshme ndërkombëtare kanë raportuar për një konflikt mes tyre. Këtyre spekulimeve iu përgjigj vetë numri dy i shtëpisë së bardhë, i cili hodhi poshtë idenë se ka një krisje mes tyre. Sipas Vance, është media ajo që dëshiron të krijojë një konflikt aty ku nuk ka një të tillë.
Zëvendës-presidenti tha se sekretari i shtetit po bën një punë të shkëlqyer, ndërsa të dy vazhdojnë të punojnë së bashku. Ai madje e cilësoi Rubio mikun e tij më të mirë në administratë. Komentet e Vance vijnë pasi Rubio mori vlerësime për fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih gjatë fundjavës, një vit pasi zëvendës-presidenti kritikoi ashpër aleatët evropianë të Uashingtonit gjatë fjalimit. Rubio mori një duartrokitje në këmbë në përfundim të fjalimit të tij, dhe gjithashtu mori lëvdata nga Presidenti Trump.
Spekulimet rreth të ardhmes politike të Vance dhe Rubio janë intensifikuar ndërsa viti 2028 po afrohet. Trump i ka vlerësuar dy zyrtarët e tij më të rëndësishëm dhe kur u pyet nëse do ta mbështeste Rubion për nominimin presidencial, tha se nuk është diçka për të cilën duhet të shqetësohet tani.


