I ftuar në “Provokacija” përballë Mustafa Nanos ka qenë Bardhyl Musai, pedagog në Universitetin e Tiranës.
Pedagogu Musai foli për provimin e PISA-s, një lloj testimi për moshat 15 vjeçare ku Shqipëria bën pjesë që prej vitit 2002.
Sipas pedagogut ky provim është tepër i rëndësishëm për të zhvilluar politikat arsimore, për të ditur të metat e sistemit aktual arsimor, si dhe ku duhet ndërhyrë për ta përmirësuar atë.
Pjesë nga biseda në studio:
Bardhyl Musai: Provimi i PISA (Project for International Student Assesment) ka lindur si rezultat i lëvizjes së lirë në tregun global të punës për shkak të interesit të biznesit kryesisht, për të ditur se njerëzit që lëvizin në këtë treg global të punës, çfarë shkollimi kanë nga vendet ku vijnë. Shqipëria i është bashkangjitur në vitin 2002 në këtë testim. Shumë vende e kanë shfrytëzuar PISA-n për politikë arsimore, pra nga njëra anë, të dihet në mënyrë globale se si janë sistemet arsimore në vende të ndryshme të botës, për të ditur përgatitjen e këtyre njerëzve në lëvizjen e tregut global të punës, dhe nga ana tjetër, rezultatet e PISA-s analizohen nga shtetet për të bërë politikë arsimore. Pisa nuk ka të bëjë me përmbajtjen shkollore të secilit vend. Ka të bëjë me shprehitë jetësore, që kryesisht kanë të bëjnë me shprehitë e të menduarit, dhe për përshtatjen në situata të jetës reale. Për të bërë politikë arsimore, duhet të mbështetemi në dy gjëra themelore: e para në hulumtim dhe testimet ndërkombëtare PISA, dhe testimi kombëtar i maturës shtetërore, janë dy testime që na orientojnë për të bërë politika arsimore , për të ditur të metat e sistemit dhe ndërhyrjen. Nga ana tjetër mbështeten në teori apo doktrina arsimore.
Mustafa Nano: Cili është testimi më i rëndësishëm i qeverisë shqiptare, ai i maturës që bëhet këtu apo është PISA?
Bardhyl Musai: Për mendimin tim janë të dy të rëndësishëm, sepse PISA ka të bëjë me këtë fashë të nxënësve 15 vjeçar, dhe për të ditur ndërhyrjet që bëhen në sistem ndërsa matura shtetërore ka të bëjë jo vetëm me hyrjen në universitete por edhe me dy cilësi të tjera; e para shteti jep llogari përpara qytetarëve, se si taksapagues të arsimit, për cilësinë e shërbimit arsimor që ofron, dhe tjetra është përgatitja e rinisë për sfidat që i pret në të ardhmen. Pra të dyja kanë rëndësinë e vet por me ngjyrime të ndryshme./abcnews.al