Eksperti i punësimit, Erald Pashaj, tha se elementi kryesor për vendosjen e pagave është tregu, ndërsa meritokracia dhe produktiviteti i punonjësve ndikojnë në rritjen e tyre.
Ai nënvizoi se konkurrueshmëria e punëdhënësve është thelbësore për të tërhequr forcë punëtore cilësore, veçanërisht në kushtet e globalizimit dhe tregut të hapur.
“Elementi kryesor për vendosjen e çmimit është tregu. E dyta është merita, sa produktiv është punonjësi, e për shkak të meritës vjen rritja. Tregu vendos për nivelin e pagave të punonjësve, tregu përfshin dhe inflacionin, kompania nuk kompenson inflacionin. Çmimet mund të rriten, por nëse kompania nuk rrit pagën, punonjësin e merr dikush tjetër.
Konkurrueshmëria është shumë e rëndësishme. Është element kryesor, që të diferencon si punëdhënës jep dhe oferta të tjera. Nëse do të kesh forcë të mirë pune, duhet të jesh konkurrues i mirë në treg. Po t’i thonim këto para 5 vitesh nuk ishte shqetësim. Këto i solli koha. Do luajmë në kushte të tjera.
Vendet e zhvilluara perëndimore kanë rritur popullsinë, jo më persona që janë lindur aty. Të gjitha këto i ka sjellë globalizimi. Globalizimi e fshiu sindikatën, sepse në një treg të mbyllur sindikata vendoste kushte.”, tha Pashaj. / abcnews.al /


