Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar disa nene të ligjit për Këshillin e lartë të Prokurorisë dhe atij të gjyqësorit. Por është edhe një numër vendimesh, jo përfundimtare të kësaj gjykate, që me shumicë votash vlerëson antikushtetutshmëri në ligjet e reformës në drejtësi, që sot janë në fuqi dhe zbatim nga organet e drejtësisë, kjo vetëm sepse Gjykata Kushtetuese operon me dy antarë më pak se parashikohet në ligj. A është sistemi i ngritur derimë tani ende i cënueshëm nga mungesa e një vendimi përfundimtari kësaj Gjykate dhe a do të sillte një përsëritje të vakuumit ligjor, mungesa e adresimit të problemeve të vlerësuara me shumicë votash, por pa vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese? Ndiqni intervistën për ABC News të nënkryetarit të reformës në drejtësi Oerd Bylykbashi.
Është ky efekti i shfuqizimit të neneve të demaskuara si antikushtetuese nga Gjykata, të ligjit për Këshilin e Lartë të Prokurorisë dhe atë të Gjyqësorit, sipas nankryetarit të reformës në drejtësi Oerd Bylykbashi.
84 vota në parlamentin shqiptar, prej qershorit 2017 do të thotë konsensus mes palëve. Kjo do të kërkohet nga politika, thekson Bylykbashi, kur Këshilli i Legjislacionit të ndërhyjë në ligj për të rregulluar ngërçin që i sjell shfuqizimi i neneve, Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Nga ana tjetër sigurisht ky process tregon cilësinë shpesh me problem të nivelit anikushtetues të atij grupi pune që prodhoi ato ligje që u miratuan me shumicë të njëanshme dhe vendimet e GJK flasin shumë keq për këto drafte te ekspertëve të nivelit të lartë”.
Gjykata kushtetuese është shprehur me vendim për disa ligje të reformës në drejtësi, por bazuar në Kushtetutë, këto vendime nuk janë përfundimtare.
“Kushtetuta është e qartë, GJK merr vendim përfundimtar kur voton me shumicën e të pesë antarëve, pra me pesë vota, çdo gjë tjetër, pra një vendim që nuk I ka pesë votat, nuk mund të jetë përfundimtar”.
I tillë është rasti i komisioneve që përzgjodhën paraprakisht kandidatët për KLP, sot të marra në shqyrtim nga nënkomisioni ad hoc ky Oerd bylykbashi është nënkryetar. Por i njëjtë është edhe rasti i ligjit të vettingut, i ankimuar nga demokratët si antikushtetues, e votuar nga shumica e gjyqtarëve si i tillë, por i mbetur në fuqi për mos arritjen e kuorumit prej 5 votash në total nga trupa e mbetur me 7 antarë nga 9 të parashikuar për Gjykatën Kushtetuese.
“Një trupë e re mund të sjellë në një shfuqizim të këtyre normave dhe për rrjedhojë ne të jemi përballë një boshllëku konkret”.
Pikërisht këtu Kuvendi mund të fusë marshin e vullnetit politik, thotë Bylykbashi.
“Parlamenti nuk është automat, është trupë politike e ndërgjegjshme, e për rrjedhojë parlamenti mudn ta shohë tani problemin dhe të ndërhyjë”.
Këshilli i Legjislacionit vendosi me shumicë votash vlerësimin e çdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese sa i përket ligjeve të reformës në drejtësi për të identifikuar boshllëqet ligjore të mundshme të shkaktuara nga shfuqizimi apo edhe vetëm interpretimi i kësaj Gjykate./abcnews.al