TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve, duke shkuar mbi 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pragun standard të NATO-s për të gjitha vendet anëtare.
Gjatë një adresimi publik, Rama iu referua konferencës së zhvilluar këtë javë nga Ministri i Mbrojtjes, ku u prezantuan detaje të rëndësishme mbi buxhetin, duke theksuar se ky nivel shpenzimesh nuk përfaqëson thjesht një angazhim për të shpenzuar më shumë, por një qasje proaktive ndaj detyrimeve ndërkombëtare dhe zhvillimit të një industrie të re të mbrojtjes në vend.
Sipas tij, ky është buxheti me investimin më serioz historikisht në sektorin e mbrojtjes, ndërsa përmasat dhe struktura e financimit tregojnë fillimin e një kthese strategjike afatgjatë.
Ai nënvizoi se kjo qasje nuk kufizohet më vetëm në blerje pajisjesh apo modernizim përmes importeve, por synon ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale brenda vendit.
“Ministri i Mbrojtjes bëri me dije në një konferencë gjatë kësaj jave shumë detaje lidhur me buxhetin e mbrojtjes për vitin 2026, i cili e ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve për mbrojtjen, duke shkuar mbi 2% të prodhimit të brendshëm bruto, pra mbi atë pragun standard të NATO-s, që është edhe pragu standard për të gjitha vendet anëtare. Ky nivel shpenzimesh tregon, jo thjesht një shifër që është më e lartë se sa pragu, as një angazhim thjeshtë për të shpenzuar, por tregon edhe një qasje proaktive ndaj detyrimeve tona, jo vetëm ndërkombëtarisht, por edhe për të zhvilluar një industri të re të mbrojtjes.
Është buxheti me investimin më serioz në mbrojtje historikisht dhe këto përmasa financimi, struktura e financimit, flasin për fillimin e një kthese strategjike afatgjatë, që nuk kufizohet më në blerje pajisjesh apo thjesht në modernizim përmes blerjeve, por synon ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale këtu në vend dhe kjo qasje lidhet me një bazë vendore të industrisë së mbrojtjes, lidhet me investime në prodhim, jo vetëm për nevojat e brendshme, por edhe për eksport, lidhet transferim teknologjie dhe mirëmbajtje dhe lidhet në instancë të fundit me atë domosdoshmëri të prekshme, që tanimë mund ta adresojmë, sepse i kemi krijuar mundësitë. Është një Shqipëri tjetër me fuqi të tjera për të bërë të mundur që në sektorin e mbrojtjes shteti, jo thjesht të shpenzojë, pra, jo vetëm të shpenzojë, por edhe të fitojë dhe duke fituar të riinvestojë. Dhe duke investuar dhe riinvestuar, të rrisë edhe mundësitë për punësim cilësor të mirëpaguar.”, u shpreh Rama./abcnews.al


