Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shumicë votash nuk pranoi nisjen e procedurave për verifikimin e gjyqtares, Irena Gjoka. Shumica e anëtarëve thanë se çështja duhet t’i kalojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Me 6 vota kundër dhe 4 pro, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk pranoi ta merrte në shqyrtim çështjen me argumentin se dosja duhet t’i kalojë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
Ndërsa votoi kundër Ridvan Hado se këshilli ka rol aktiv vetëm në rastin kur shkaku i pazgjidhshmërisë, i papajtueshmërisë, ka lindur para fitimit të statutit.
“Kundër me argumentin se siç kemi deklaruar se kjo çështje që kur ka nisur është lënë në dispozicion të komisionit të zhvillimit të karrierës. Në këndvështrimin tim këshilli ka rol aktiv vetëm në rastin kur shkaku i pazgjidhshmërisë, i papajtueshmërisë, ka lindur para fitimit të statutit. Në raste e tjera kur pazgjidhshmëria ka lindur pas fitimit të statusit, duhet ti dërgohet ILD”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor do të duhet të mblidhet sërish për të miratuar një tjetër vendim, nëse do t’ia kalojë apo jo Inspektorit të Lartë të Drejtësisë fatin e gjyqtares Irena Gjoka
Prokuroria e Përgjithshme në janar përfundoi verifikimin për gjyqtaren lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit. Procesi nisi pas kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe pretendimeve se Gjoka kishte fshehur probleme nga e kaluara në shtetin grek.
Nga ana tjtër Gjoka në një letër që i ka dërguar KLGJ shprehet se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit vendimin e Gjykatës së Janinës së korrikut 2005. Ajo shpjegon se nuk ka patur dijeni as për procesin dhe as vendimin gjyqësor, i cili sipas vetë ligjeve greke është arkivuar dhe asnjëherë nuk mori vendim të formës së prerë.


