Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se dokumentet që synojnë përfundimin e luftës janë “pothuajse gati”, pas takimit të zhvilluar sot me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Zelensky theksoi se Ukraina po punon me “ndershmëri dhe vendosmëri”, duke shtuar se Rusia duhet të jetë e gatshme të “i japë fund këtij agresioni”.
Ai kujtoi se takimet e mëparshme me përfaqësuesit amerikanë kanë sjellë mbështetje konkrete për Ukrainën, përfshirë furnizimin me raketa mbrojtëse, ndërsa janë zhvilluar edhe diskutime për “mbrojtjen e hapësirës ajrore”.
Zelensky shprehu shpresën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Ukrainës dhe bëri thirrje për një Evropë të fortë. Ai theksoi se kontinenti ka nevojë për një Ukrainë të pavarur, e cila një ditë mund të jetë në gjendje të mbrojë edhe vendet e tjera.
“Ne jemi të gatshëm të jemi pjesë e një Evrope që ka vërtet peshë”, deklaroi presidenti ukrainas.


