Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste hapi sot vitin e ri kuvendor me një mbledhje të drejtuar nga Kryeministri dhe njëkohësisht Kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili vuri theksin te procesi i integrimit europian dhe nevoja për rritjen e informimit dhe përfshirjes së deputetëve.
Rama njoftoi se diskutimet për negociatat me Bashkimin Europian do të zhvillohen çdo muaj, ndërsa paralelisht paralajmëroi ndryshime në procesin legjislativ, përfshirë transformimin dhe modernizimin teknologjik të administratës së Kuvendit, si dhe vendosjen e një kalendari të qartë parlamentar.
“”Duhet të vendosim piketat për godinën e re të parlamentit të Shqipërisë. Ata që janë bërë pjesë të anëtarësimit, ka pasur më pak kushte nga sa kemi ne sot. Ka diçka e kam theksuar në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kur nisëm këtë mandat që duhet të jetë shumë më tepër në vëmendjen e Grupit Parlamentar dhe të qeverisë, kjo është pjesa që lidhet me fazën përpara lidhjes së negociatës. Duhet shumë më tepër punë, për t’u shpjeguar me grupin dhe për t’u dëgjuar nga grupi. Duhet më shumë informacionin.
Të gjithë deputetët për shkak të eksperiencës së tyre të jenë të informuar dhe të mirëpritur që të kontribuojnë. Pika e përbashkët për pjesën e negociatave, do ta zhvillojmë çdo muaj. Dua të prek një tjetër aspekt për të cilin kam folur edhe në fjalën përpara të asamblesë. Aspektin e ndryshimeve të procesit legjislativ, e filluam me komisionet, duhet të vazhdojmë me administratën e Kuvendit e cila kemi kohë që themi se duhet të transformohet dhe të modernizohet nga një transformim të tërësishëm teknologjik dhe nga ana tjetër duhet të vendosim piketat për një kalendar parlamentar”, tha kryeministri Rama.


