Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e kësaj të enjte në qytetin e Korçës, ku një grua e moshuar humbi jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e saj.
Viktima është identifikuar si Flutura Potka, 73 vjeçe, e cila ndërroi jetë nga asfiksia, pasi banesa ku ajo jetonte u përfshi nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 13 të qytetit.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Fatkeqësisht, për të moshuarën nuk ka pasur mundësi shpëtimi.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një jorgan me korent, të cilin e moshuara përdorte për t’u ngrohur. Mësohet se Fluturie Potka ishte e paralizuar dhe jetonte e vetme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.


