Arratisja e të burgosurit Altin Ndoci ngjason me një skenar filmash aksion, por vendos përpara përgjegjësisë dhe shtron pikëpyetje sa i takon sigurisë.
Eksperti i sigurisë Faik Basha tha se në rastet emergjente të të burgosurve duhet të ndiqen procedura të qarta, duke filluar nga vlerësimi mjekësor dhe deri te njoftimi i zinxhirit drejtues dhe institucioneve përkatëse. Sipas tij, për persona me rrezikshmëri të lartë duhen masa shtesë sigurie gjatë shoqërimit dhe vizitave mjekësore, përfshirë kontrollin e ambienteve dhe praninë e policisë. Basha theksoi se Policia e Durrësit ka deklaruar se nuk është njoftuar për rastin, duke ngritur dyshime për mungesë koordinimi dhe përgjegjësie institucionale.
“Kemi raste emergjente kur një i burgosur ndodhet në gjendje urgjente. Hapi i parë është kontakti me infermierin dhe mjekun, të cilët vendosin diagnozën. Më pas njoftohet zinxhiri drejtues i institucionit, i cili merr masat për shoqërimin e personit të caktuar.
Një person me rrezikshmëri të lartë, ose që mund të sulmohet nga persona të tjerë, kërkon masa shtesë sigurie, duke ditur se problemet shëndetësore janë ndër arsyet kryesore që shfrytëzohen për arratisje. Institucionet duhet të marrin masa shtesë sigurie në këto raste.
Duhet të sqarohen disa detaje, si për shembull nëse personi ka qenë i shoqëruar dhe nëse policia ka marrë masa shtesë. Dhoma ku kryhet vizita mjekësore duhet të kontrollohet paraprakisht dhe gjatë vizitës duhet të jetë i pranishëm një punonjës policie. Ka spitale që kanë dhoma të posaçme, të pajisura me metal dhe hekura, ku kryhen këto procedura.
Kontrolle kryhen edhe në ambientet e tualetit. Personi është larguar pikërisht në momentin kur ka shkuar drejt tualetit. Në këto raste veprojnë dy struktura policore me detyra të ndryshme: policia e burgjeve dhe policia e rendit.
Burgu duhet të njoftojë komisariatin përkatës dhe më pas ky i fundit vihet në veprim. Megjithatë, Policia e Durrësit ka deklaruar se nuk ka pasur njoftim, duke hequr përgjegjësinë nga vetja.”


