Historia e tre fëmijëve të quajtur “të braktisur” në Durrës ka prekur opinionin publik dhe ka sjellë reagimin e fortë të sipërmarrësit Fisnik Syla, në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit. I prekur nga ajo që pa dhe dëgjoi, Syla u shpreh i gatshëm të dhurojë 5.000 euro për fëmijët e Blerina Bashës, e cila deklaron se punon me dy turne për të mbajtur fëmijët. “E mendoj si për veten time, si për dikë të familjes sime”, u shpreh ai.
Sipas nënës, ngjarja është inskenuar nga familja e ish-burrit për t’i marrë fëmijët, ndërsa ajo këmbëngul se po bën gjithçka për ta. Fëmijët aktualisht janë të shtruar në spital dhe po marrin mjekimin e duhur, ndërkohë që mungesa në shkollë lidhet me sëmundjen dhe përmbytjet e fundit. Shërbimi Social i Durrësit konfirmon se kushtet e banesës ishin normale gjatë inspektimit dhe se nënës i është ofruar punë e rregullt dhe mbështetje për fëmijët.
Fisnik Syla thekson se do të ndihmojë në çdo formë, madje edhe me kujdestari, nëse vërtetohen deklaratat e nënës . Mes angazhimeve humanitare, sipërmarrësi vijon suksesin edhe në biznes, duke inauguruar restorantin e tij të ri dhe duke folur hapur për zhvillimet e fundit në jetën personale.


