Bitri: Tirana s’e ka potencialin e Kukësit, një herë në 6 vite do fitojnë edhe ata

schedule08:32 - 23 Dhjetor, 2019

schedule 08:32 - 23 Dhjetor, 2019

Eno Bitri ishte heroi i Partizanit një ditë më parë. Shtatlarti beratas shënoi një gol të rëndësishëm, që i dha mundësinë skuadrës së tij të fitonte dhe të ngushtonte diferencën me Kukësin kryesues. Bitri e kishte menduar golin dhe në deklaratën e dhënë për mediat pas ndeshjes, tregoi edhe pse.

“E ndjeja se mund të shënoja, pasi edhe vjet i kam realizuar Vllaznisë kur isha pjesë e Kamzës. Kisha njëfarë besimi në vetvete që do të shënoja kundër Vllaznisë”, u shpreh qendërmbrojtësi, i cili golin ia dedikon familjes së tij dhe familjes “Partizani”.

Bitri i gëzohet fitores, pasi kishte shumë vlera. “Ishte shumë e rëndësishme kjo fitore, pasi vuanim nga një ngërç psikologjik. Besoj se e kaluam”, shton beratasi, i cili pyetet më pas nëse rezultati i ndeshjes ishte i drejtë. “Futbolli kështu është, secili merr atë që meriton. Ne e merituam fitoren, kjo është e gjitha”.

Bitri e nisi titullar në kupat e Europës. Në modulin me tre mbrojtës ai ishte gjithmonë në fushë. Kohët e fundit nuk luajti shumë, por ai nuk thotë asnjë fjalë të keqe për ish-trajnerin, italianin Franco Lerda.

“Edhe me trajnerin Lerda ndihesha shumë mirë, pavarësisht se ai bënte zgjedhjet e tij. I respektoja vendimet që merrte. Me Kalarin ndihem akoma me mirë. Ky është futbolli dhe duhet të pranojmë këtë që jemi duke marrë”, shprehet shtatlarti i mbrojtjes, i cili në 18 muaj te Partizani, thekson se është rritur shumë.

“Mendoj se kjo eksperiencë te Partizani më ka rritur shumë nga ana profesionale. Besoj se kam akoma më shumë për të dhënë”, shton Bitri. Normalisht ai i gëzohet edhe ndalimi të Kukësit me Skënderbeun.

“Ndalimi i Kukësit është një gjë shumë e mirë për ne. Kampionati është akoma i gjatë, por është një plus për ne. Edhe po te fitonin, nuk do të ishte ndonjë gjë e madhe. Ne aty do të jemi prapë”, thotë futbollisti i “demave të kuq”.

Më pas ai flet edhe për garën për titull kampion dhe ekipi me të cilin do luftojë Partizani deri në fund. “Rival për titullin shoh Kukësin. Edhe Tiranën e Bylisin i shoh, por besoj se nuk kanë potencialin e Kukësit”.

“Humbja në derbi ju mërzit më shumë, apo fati i mirë që i latë Tiranës pasi ju mundi në derbi?”, ishte pyetja e fundit ngacmuese për Bitrin. Sigurisht, edhe pse është mbrojtës, tregon se di të driblojë.

“Nuk e di këtë pjesën e mbarësisë. Besoj se humbja në derbi është njëherë në 6 vjet dhe njëherë do ndodhte sido që të vinte situata”, tha në mbyllje të deklaratës së tij, qendërmbrojtësi Eno Bitri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!