Shqipëria po përmbytet, por në PD vazhdon thatesira. Herën e fundit kur godina blu rrezikoi të përmbytej, ishte në këtë datë, 8 janar, 4 vite më parë, kurdoktori nuk ishte në zyrë, por jashtë saj. Atë ditë, selia blu e Lulzim Bashës për pak sa u përmbyt nga batica e dhunshme e doktorit, një baticë blu që vjen sa herë Sali Berishës i rrezikohet, ose nuk i lëshohet karrigia.
Kurse tani që doktori është në seli, ka vetëm zbaticë. Lapaj, Shehaj dhe Arlind Qori kanë refuzuar ftesën e Berishës për t’u ulur te premten në tryezë. Por Doktori e di që të vetët mund t’i mbajë akoma me shpresë. Së paku edhe për 24 orë.
“A mund t’i paragjykoj unë ato, pa u mbledhur tryeza. Po ja që mundet të ndryshojnë mendim, dhe pastaj ç’ngelet nga fjala ime, dera është e hapur, janë të gjithë ata që e ndjejnë veten opozitarë janë të mirëpritur” u shpreh Berisha.
Berisha e la për nesër humorin poltik. Sot foli seriozisht per permbytjet dhe dy faktoret dhe fajtoret kryesore te saj. Shiu dhe hidrovori, pastaj Rama.
“Durrësi është përmbytur, pa diskutim që reshjet e mëdha janë shkaku themelor, por ajo që e favorizoi në mënyrë të paprecedent është gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe hidrovorëve, atij të Porto Romanos dhe atij të zonës sipër Bishtit të Pallës, e cila mbron të gjithë atë ultësirë”, – vijoi ai.
Berisha i kërkoi qytetarëve të mos e dëgjojnë shumë Ramën, në ditë me shi doktori thotë se është më i kthjellët se kryeministri.
“Lëshon dje një tallje cinike, në të cilën pretendon se opozita po e akuzon për përmbytjet në Greqi dhe Itali, një fantazi e sëmurë e një fantazisti të sfazuar, njeriu i cili tani po përjeton net tmerri çdo natë për shkak të krimeve të tij të bëra evidente. E vërteta është që Edi Rama është i tmerruar nga dosja e tij”, – shtoi Berisha.
Në fakt, doktori është më i vjetër në përmbytje se Rama, ndaj dhe i ftoi qytetarët të dëgjojnë vetëm ekspertizën e tij.
“U bëj thirrje banorëve të evakuohen sa më parë sepse lumi Vjosa është një lumë me rrezikshmëri të pakrahasueshme me asnjë nga lumenjtë e tjerë të vendit në befasinë e prurjeve të tij,” përfundoi kreu i PD.


