Viti 2025 shënoi një nga periudhat më të trazuara dhe kontradiktore në jetën publike të Elon Musk, njeriut më të pasur në botë.
Nga korridoret e pushtetit në Uashington te krizat në kompanitë e tij dhe përplasjet personale të bujshme, Musk u shndërrua në një figurë që polarizoi opinionin publik amerikan dhe ndërkombëtar më shumë se kurrë më parë.
Nga “miku i parë” i Trump te përplasja publike
Pas rolit të tij si donatori kryesor republikan në zgjedhjet e vitit 2024, Musk u përfshi drejtpërdrejt në administratën Trump si drejtues de facto i të ashtuquajturit “Department of Government Efficiency” (DOGE). Që në ditët e para, prania e tij u shoqërua me kaos dhe reagime të forta.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit presidencial, një gjest i Musk u interpretua nga shumëkush si përshëndetje fashiste, duke nxitur dënime nga organizata për të drejtat e njeriut dhe komunitete hebraike. Kontroversat u thelluan më tej me mbështetjen e tij për parti të ekstremit të djathtë në Evropë dhe deklarata që minimizonin krimet e së kaluarës naziste.
DOGE, nën drejtimin e Musk, ndërmori shkurtime masive në administratën federale, përfshirë programe humanitare ndërkombëtare. Këto vendime u shoqëruan me padi ligjore dhe kritika të ashpra nga ekspertë, të cilët paralajmëruan për pasoja serioze humanitare.
Marrëdhënia e ngushtë me Trump u shemb publikisht në qershor, kur Musk e akuzoi presidentin në rrjetin X për lidhje me dosjet Epstein, një postim që më vonë u fshi, por që shënoi pikën e thyerjes mes dy figurave më të fuqishme të së djathtës amerikane.
Biznese miliardëshe, por nën presion
Ndërkohë, perandoria ekonomike e Musk përjetoi kontraste të forta.
SpaceX siguroi kontrata të reja qeveritare dhe miratime për rritjen e lëshimeve raketore, pavarësisht incidenteve të përsëritura me raketën Starship.
Tesla, në anën tjetër, u përball me rënie globale të shitjeve, protesta, zjarrvënie ndaj makinave dhe hetime të shumta për sigurinë e teknologjisë Autopilot. Megjithatë, aksionarët miratuan një paketë shpërblimi rekord për Musk, që teorikisht mund ta çojë atë drejt statusit të trilionerit të parë në histori.
Një goditje e rëndë erdhi në fund të vitit 2025 nga autoritetet e Kalifornisë, të cilat akuzuan Teslën për mashtrim të konsumatorëve dhe paralajmëruan ndalim të shitjeve nëse kompania nuk korrigjon pretendimet për teknologjinë e saj.
X, inteligjenca artificiale dhe kritikat për ekstremizëm
Në fushën e teknologjisë digjitale, Musk konsolidoi kompanitë X dhe xAI, duke integruar chatbot-in Grok në rrjetin social. Por Grok u përfshi në skandale për përhapje teorish konspirative dhe deklarata antisemitike, duke ngritur shqetësime serioze, edhe pse xAI arriti të sigurojë një kontratë prej 200 milionë dollarësh me Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve.
Jeta personale dhe konfliktet publike
Paralelisht me betejat politike dhe ekonomike, jeta personale e Musk vazhdoi të ishte në qendër të vëmendjes.
Në vitin 2025 u bë publik fakti se ai kishte 14 fëmijë, ndërsa marrëdhëniet e tensionuara me vajzën e tij transgjinore u reflektuan edhe në media të mëdha amerikane.
Musk u përfshi gjithashtu në përplasje publike me politikanë, gazetarë, akademikë dhe figura të kulturës, përfshirë shkrimtaren Joyce Carol Oates, duke forcuar imazhin e një miliarderi të fuqishëm, por thellësisht konfliktual.
Një vit me pasoja afatgjata
Siç vëren The Guardian, pavarësisht elementeve shpesh absurde të dramave që e shoqëruan, viti 2025 ishte thellësisht i rëndësishëm për Musk.
Ai tregoi se si një individ i vetëm, me pasuri dhe ndikim të jashtëzakonshëm, mund të ndikojë drejtpërdrejt politikën, ekonominë dhe diskursin publik global.
Elon Musk e mbylli vitin me një pasuri të vlerësuar rreth 600 miliardë dollarë, por edhe me një trashëgimi politike dhe shoqërore që vazhdon të ngjallë debate të forta… një figurë po aq e fuqishme sa edhe e paparashikueshme. / abcnews.al /


