Teksa gjithë bota priste vitin e ri me spektakël dhe fishekzjarrë, vendet e goditura nga lufta nuk e shënuan dot me festë këtë ditë të shënuar. Ukraina sërish nuk gjeti qetësi. Rusia sulmoi rajonin e Odesës në Ukrainë gjatë natës deri të enjten, duke synuar infrastrukturën civile. Në Ukrainën perëndimore, disa dhjetëra dronë goditën gjithashtu infrastrukturën në Volin.
Forcat Ajrore Ukrainase thanë se kishin rrëzuar ose goditur 176 nga 205 dronë që synonin vendin gjatë natës.
Në urimin e tij të fundvitit presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se një marrëveshje paqeje që synon t’i japë fund luftës midis Moskës dhe Kievit është 90% gati, por 10% e mbetur do të përcaktojë fatin e paqes, fatin e Ukrainës dhe Europës.
Nga ana tjetër Presidenti rus Vladimir Putin shprehu besim në fitoren përfundimtare të vendit të tij në luftimet gati katërvjeçare kundër Ukrainës. Pavarësisht përparimit në negociatat e paqes, të cilat ai nuk i përmendi, Putin riafirmoi besimin e tij në suksesin e Rusisë në konflikt.
Një vit të ri festiv nuk pati edhe për palestinezët, të cilët ditën e parë të 2026 e shënuan duke kërkuar ndihma për familjet e tyre.
Erërat e forta goditën tendat e dobëta që qëndronin mes grumbujve të rrënojave të ndërtesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga dy vjet luftë në enklavë.
Në javët e fundit, shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur kampet e improvizuara, duke e bërë jetën e përditshme edhe më të vështirë për palestinezët e zhvendosur. / abcnews.al /


