Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të mërkurën se Izraeli do të shpenzojë 350 miliardë shekelë (110 miliardë dollarë) për zhvillimin e një industrie të pavarur armësh për të zvogëluar varësinë nga vendet e tjera.
“Ne do të vazhdojmë të sigurojmë furnizime thelbësore ndërsa armatosemi në mënyrë të pavarur”, tha Netanyahu në një ceremoni për pilotët e rinj, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Nuk e di nëse një vend mund të jetë plotësisht i pavarur, por ne do të përpiqemi … të sigurohemi që armët tona të prodhohen sa më shumë të jetë e mundur në Izrael”, citohet të ketë thënë ai.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një industri të pavarur armësh për shtetin e Izraelit dhe të zvogëlojmë varësinë nga çdo palë, përfshirë aleatët”, ka shtuar ai.
Ndërkohë ai akuzoi Hamasin të mërkurën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, pasi një oficer ushtarak u plagos nga një pajisje shpërthyese në Rafah dhe Izraeli u zotua për hakmarrje.
Zyra e tij tha në një deklaratë se Hamasi duhet ta zbatojë plotësisht marrëveshjen e tetorit, duke vënë në dukje se ajo parashikonte largimin e grupit militant nga pushteti në Gaza, si dhe demilitarizimin dhe deradikalizimin e territorit.

