Donald Trump ka shkaktuar sërish tension me deklaratat e tij, duke ritheksuar edhe njëherë se SHBA-të “duhet ta kenë” Groenlandën. Ai pretendon se territori i duhet SHBA për sigurinë kombëtare.
Kjo deklaratë e Trump vjen menjëherë pasi presidenti amerikan emëroi guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special në Groenlandë, duke thënë se ai do të “udhëhiqte sulmin” në avokimin e pjesës gjysmë-autonome të Danimarkës për t’u bërë pjesë e Shteteve të Bashkuara.
“Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare, jo për mineralet… Nëse i hidhni një sy Groenlandës, shikoni lart e poshtë bregdetit, do të shihni anije ruse dhe kineze kudo. Na duhet për sigurinë kombëtare. Duhet ta kemi… Groenlanda është një çështje e madhe.”
Nga ana e saj kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, thanë në një deklaratë të përbashkët se Groenlanda u përket banorëve të Groenlandës, duke theksuar se SHBA-të nuk do ta marrin atë.
“Nuk mund të aneksosh një vend tjetër. As me një argument për sigurinë ndërkombëtare”, thanë ata.
Vendi ka thirrur tashmë ambasadorin e SHBA-së në shenjë proteste, me ministrin e jashtëm që tha se ky veprim tregon se SHBA-të janë ende të interesuara në territorin e gjerë danez.

