Nuk ishte e lehtë, dhe ende nuk ka siguri. Barcelona vërtet fitoi ndaj Frankfurtit në Champions, veçse rreziku I eliminimit mbetet, dhe për më tepër Lamin Jamal nuk shkëlqeu e nuk do të luajë në ndeshjen tepër të rëndësishme në Pragë ndaj Sllavias.
Talenti botëror mori të verdhë e do të jetë i pezulluar. Katalanasit, ndërkaq rrezikuan shumë pasi Ajntrahti gjerman kaloi në avantazh dhe u desh një skemë e re nga trajneri Hansi Flik për të shpëtuar.
Mbrojtësi I krahut, Zhyl Kunde, papritur u kthye në sulmues zone, dhe shënoi të dy golat, madje shpejt me të nisur pjesa e dytë. Ishin minutat 50 e 53, dhe tek rrjeta e dytë asisti ishte nga Jamal. Natyrisht skuadra blaugrana bëri shumë më tepër, por për t’u kualifikuar i duhen gola me shumicë, jo vetëm fitore të tilla.
Sukses tepër I rëndësishëm ndërkaq për Atalantën. Ajo që në Itali njihet si “Dea”, apo Perëndesha, arriti një fitore prestigji duke mundur Çelsin, pra kampionin e botës për klubet.
Berat Gjimshiti ishte titullar dhe luajti deri në fund, ndërsa Xhanluka Skamaka e Sharl De Keteler përmbysën rrjetën nga Zhoao Pedro.
Kapiteni kuqezi pati edhe momente të vështira, por edhe u tregua vendimtar, ndërsa Atalanta është ekipi më I mirë italian në Champions, me 13 pikë në 6 ndeshje, dhe pranë kualifikimit direkt për në raundin e dytë.
Edhe më I fortë Bajerni që mundi 3-1 Sportingun e Lisbonës. Portugezët shtangën “Alianc Arenën” pasi Kimih shkaktoi autogol në 54’, por bavarezët ishin shumë të fortë.
Karakteri dhe klasi bënë të vetën dhe për 12 minuta, Gnabri, Karl dhe Tah përmbysën gjithçka.
Siç tregojnë statistikat, skuadra e trajnerit Vinsent Kompani ka 37 ndeshje radhazi që nuk mundet në shtëpi në Ligën e Kampionëve në fazën e grupeve, kjo që nga viti 2013.

