DURRËS- Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Portit dhe autoritetet doganore goditën një tentativë për futje të lëndëve narkotike, armëve dhe vlerave monetare të padeklaruara.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë të hyrjes në Portin e Durrësit, në një autobus të drejtuar nga Dritan Ferrunaj, 42 vjeç, banues në Vlorë, shërbimet policore gjetën dhe sekuestruan: 92 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, të fshehur në një çantë marsup; Bizhuteri të dyshuara floriri; 29 000 euro të padeklaruara, të gjetura brenda një çante shpine në autobus; Një armë zjarri tip pistoletë, së bashku me pesë krehra.
Drejtuesi i autobusit u arrestua në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës.
Ai akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë:
-
Trafikim i lëndëve narkotike;
-
Trafikim i armëve dhe municionit;
-
Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara;
-
Kontrabandë me mallra të akcizës dhe mallra të licencuara;
-
Mosdeklarim i të hollave në kufi;
-
Pastrimi i produkteve të veprës penale;
-
Fshehja e të ardhurave.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal./abcnews.al

