Presidenti i Senatit të Kamboxhias, Hun Sen, u zotua sot se vendi i tij do të zhvillojë një luftë të ashpër kundër Tajlandës, teksa një ditë e dytë përplasjesh të përhapura përgjatë kufirit detyroi dhjetëra mijëra njerëz të largoheshin nga zonat e rrezikshme.
Përleshjet rinisën pas një incidenti të dielën në mbrëmje, ku një ushtar tajlandez u vra, pavarësisht armëpushimit që pati ndërprerë pesë ditë luftime në korrik.
Konflikti i mëparshëm kishte shpërthyer për shkak të pretendimeve të diskutueshme territoriale, duke lënë dhjetëra civilë e ushtarakë të vrarë nga të dyja palët dhe duke shkaktuar evakuimin e mbi 100 000 banorëve.
Në një deklaratë të shpërndarë në Facebook dhe Telegram, Hun Sen tha se Kamboxhia kishte shmangur përgjigjen me zjarr të hënën, por gjatë natës ishte detyruar të kundërpërgjigjej ndaj forcave tajlandeze. Sipas tij, përqendrimi në pikat ku ushtria tajlandeze po avanconte do t’i lejonte Kamboxhias “të dobësonte dhe shkatërronte forcat armike përmes kundërsulmeve”.
Ushtria tajlandeze njoftoi se trupat kamboxhiane kishin goditur me artileri një fshat në provincën Sa Kaeo të martën në mëngjes, fatmirësisht pa shkaktuar viktima. Tajlanda akuzon Kamboxhinë gjithashtu për hapjen e zjarrit ndaj trupave të saj të dielën dhe të hënën, teksa secila palë ia faturon tjetrës të shtënat e para.
“Kambodia dëshiron paqe, por është e detyruar të luftojë për të mbrojtur territorin e saj,” tha Hun Sen, i cili megjithëse nuk është më kryeministër që prej vitit 2023, konsiderohet gjerësisht si drejtuesi de facto i vendit.
Ushtria kamboxhiane njoftoi se luftimeve të reja u kanë humbur jetën shtatë civilë dhe janë plagosur 20 të tjerë. Nga ana tajlandeze, një ushtar është vrarë dhe 29 të tjerë janë plagosur, sipas një zëdhënësi të ushtrisë.
Në një konferencë për shtyp, admiral Surasant Kongsiri deklaroi se marina tajlandeze po forconte pozicionet e saj në lindje të vendit, pranë kufirit me Kamboxhinë.
Tajlanda kishte kryer dje sulme ajrore përgjatë vijës kufitare, të cilat i përshkroi si veprime mbrojtëse që synonin instalime ushtarake kamboxhiane.
Sipas tij, operacionet do të vazhdojnë “derisa sulmet të ndalen”.

