Humbja me Parmën e ka zgjuar Romën, që vijon ecurinë e rezultateve pozitive. Verdhekuqtë triumfuan sonte në transfertë kundër skuadrës së Fiorentinës, me rezultatin e thellë 1-4. 13 pikë në pesë takimet e fundit për skuadrën kryeqytetase të Italisë, që ushtron presion te Lazio dhe Interi që renditen në vendin e tretë dhe të dytë.
Skuadra e trajnerit Fonseca e zgjidhi ndeshje lehtë, pasi realizoi dy gola të shpejtë në pjesën e parë. Fillimisht ishte sulmuesi Edin Dzeko, i cili brenda zonës së skuadrës vjollcë nuk mund të falte dhe e ndëshkoi portierin Dragowski.
Polaku e pa veten të ndëshkohej edhe tre minuta më pas, kur serbi Aleksandar Kolarov gradoi të majtën e tij dhe me një goditje dënimi e dërgoi topin drejt e në rrjetë. Zero mundësi reagimi për portierin e skuadrës vendase.
Humori te Fiorentina u rregullua disi me golin e Badelj, që shënoi në minutën e 34-t. Me rezultatin e ngushtë 1-2 u mbyll fraksioni i parë i lojës dhe në të dytën të dyja ekipet tentuan të shënojnë golin që do t’i jepte rrjedhë tjetër ndeshjes.
Goli i radhës vonoi, por ishte në favor të Romës dhe praktikisht e mbylli ndeshjen. Mesfushori Lorenzo Pellegrini, me një gjuajtje në hyrje të zonës, shënoi në portën e Fiorentinës. Dorëzim total i ekipit vjollcë, që më pas pësoi edhe golin e katërt. Zaniolo përmbylli me sukses një kundërsulm dhe Roma ia doli të merrte pikët e plota me një fitore të thellë, me rezultatin 1-4. /abcnews.al