Kruja, vend i njohur prej shekujsh për kultivimin e ullirit, po kthen sërish vëmendjen tek një nga produktet më të çmuara të zonës. Vaji I ullirit, për shumë banorë të fshatit Greps nuk është vetëm e traditës, por një burim i qëndrueshëm të ardhurash, duke u eksportuar edhe në vendet e Europës. Në fshatin Greps, mes kodrave të mbushura me ullinj, jeton Mustafa Tema, ish-mësues dhe prej dekadash i apasionuar pas kultivimit të ullishteve. Për të dhe familjet e tjera të zonës, sezoni i vjeljes është periudha më e ngarkuar e vitit, por edhe më me vlerë.
“Kjo zonë ka ullinj shumë shekullorë, por edhe të kultivuara së fundmi. Unë personalisht kam mbi 50 rrënjë mbi 100-vjeçare dhe rreth 600 rrënjë të mbjella vetë. Edhe djemtë e mi kanë secili nga 150 rrënjë ullinj që këtë vit kanë dhënë prodhim të mbarë. Kemi blerës nga Italia e Gjermania; e marrin vajin me 50 euro shishja 1.5 litra. Vaji është krejtësisht natyral, pa pleh organik dhe pa spërkatje”, tha Mustafa Tema.
Zone e Krujës njihet për ullinjtë e vjetër, por edhe për plantacionet e reja që janë shtuar vitet e fundit. Falë cilësisë së lartë dhe metodat tradicionale të përpunimit, vaji i prodhuar këtu ka arritur të gjejë treg të qëndrueshëm në Europë, veçanërisht në Gjermani.
“Janë shtetas gjermanë, mjekë që blejnë vaj ulliri dhe janë shumë të kënaqur. E transportojmë me furgona të linjave ndërkombëtare. Kjo zonë ka kultivuar ullirin edhe para epokës së Skënderbeut. Dikur ishte detyrim të mbillje 25 rrënjë. Ka familje që sot mbahen kryesisht me të ardhurat nga ulliri. Ka fabrika të ndershme, por ka edhe nga ato që na përvetësojnë vajin… Duhet më shumë kontroll”, shtoi Mustafa Tema.
Për të ruajtur cilësinë, shumica e fermerëve zgjedhin ende vjeljen tradicionale me dorë, një metodë që kërkon shumë punë, por siguron standard më të lartë.
“Kultivojmë edhe disa varietete të reja të ullirit. Vjeljen e bëjmë me dorë dhe me krehër. Është mënyrë më e lodhshme, por vaji del shumë më cilësor”, u shpreh më tej Mustafa Tema.
Kruja jo vetëm ruan traditën e ullirit, por po e shndërron atë në një potencial të vërtetë ekonomik. Rritja e sipërfaqeve të reja të mbjella dhe interesi i shtuar i tregut të huaj po e bëjnë vajin e ullirit të kësaj zone një histori suksesi që kapërcen kufijtë./abcnews.al

