Besimi për të vjetrit bie, por shpresa për të rinjtë nuk rritet. Sondazhi i fundit i “Zëri i Shqiptarëve” në Abc Neës, tregon se votuesit shqiptarë të cilët u penduan se votuan PS apo PD 7 muaj më parë më 11 maj, nuk preferojnë as partitë e reja politike, Mundësinë e Shehajt, Shqipëria Bëhet e Lapajt apo Lëvizjen Bashkë të Arlind Qorit.
Sondazhisti Eduart Zalonshja thotë se partitë e reja janë tkurrur, teksa nga 200 mijë votues, tanimë, nëse zgjedhjet do të realizoheshin së afërmi, kjo shifër do të shkonte në 75 mijë.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Zaloshnja u shpreh se qytetarët mendojnë se partitë e reja, kanë të njëjtën qasje si opozita.
“Berisha ka një proces gjyqësor aktualisht, për korrupsion, edhe Ilir Meta ndodhet në burg. Nga ana tjetër, kemi pezullim të zv.kryeministres, kemi arrest me burg. Nga të dyja anët kemi pasur goditje. Elektorati i zhgënjyer me këto dy parti, 46 përqind, janë 876 mijë banorë që janë zhgënjyer. Kur i pyesim këto njerëz, po të bëhen zgjedhje së afërmi, për kë do votoni. Partitë e vogla ekzistuese, marrin 75 mijë vota, nga 200 mijë që morën para pak muajsh. Këto, brenda 6 muajsh janë rrudhur. Kemi 800 mijë banorë, që janë zhgënjyer edhe nga partitë e mëdha edhe nga të voglat. Këto dy partitë e reja, nuk po japin gjë të re, por po ndjekin avazin e vjetër. Janë 200 mijë shqiptarë që kanë votuar për partitë e vogla, nuk presin kopje të Berishës, por qasje të moderuar dhe të artikuluar.”, theksoi ai./abcnews.al

