TIRANË- Ambasadori Roland Bimo, i ftuar në “Real Story” tha se Evropa e ka humbur ndikimin e saj në dhënien e zgjidhjes së konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës, luftë kjo e cila vazhdon prej disa vitesh.
Ai theksoi se kontinenti i vjetër e ka humbur potencialin për të luajtur si aktor i gjeopolitikës dhe kjo sipas Bimos ka ardhur si pasojë e disa faktorëve.
“Ka rreth tre vjet, që një ditë të bukur që gazsjellësi nga Moska në Gjermani u gdhi i dëmtuar. Ai ishte momenti kur ranë kambanat e alarmit për Evropën, që ishte e defaktorizuar si element i gjeopolitikës botërore.
Tani jemi në zonën ku Evropa, n.q.s. më lejon të bëj një metaforë, që i ngjan një bizhozxhiu që ka humbur miliona euro në kumar edhe nuk ka çfarë ti thotë gruas në shteti, Evropa ka humbur rrugën dhe është e çoroditur.
Sigurinë ia besoi SHBA, ekonominë ia besoi gazit të lirë rus dhe tregut të lirë kinez, kishte një prosperitet relativ dhe papritmas një konflikt në kufijtë e saj hodhi në erë gjithçka dhe nga ana strategjike, SHBA kanë arritur qëllimet e tyre dhje kanë ndaluar një aleancë ruso-gjermane, e cila mund të ishte një faktor kërcënues për influencën amerikane dhe europianët kanë shkuar aq larg në qëndrimet e tyre dhe e kanë të pamundur të tërhiqen.
Evropa e ka humbur aftësinë për të qenë aktor gjeopolitik gradualisht dhe sot po shikojmë simptomat totale të kësaj shfaqjeje”, tha ai.
Ai theksoi se zgjidhja e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet ende larg, ndryshe nga se thuhet nga optimistët.
“ Mendoj se qëndrimet e palëve dhe mënyrën se si janë ngërthyer gjërat, janë kaq larg gjetjes së një zgjidhje sa është e pamundur”, tha ai.

