Sikurse pritej, votat e Diasporës janë kthyer në qendër të debatit politik në Kosovë. Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme me 28 dhjetor, në kohën kur emigrantët kthehen në vend për të kaluar kohë me familjarët e tyre, i ka bërë votat e tyre nga më të lakmuarat për subjektet politike.
Ka qenë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, që e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, për sulme, dhe i ka quajtur histeri politike, reagimet e zyrtarëve të kësaj partie ndaj LDK-së, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e aprovoi ankesën e saj kundër hapjes së qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.
Në një reagim pas kritikave që LDK-ja ka marrë, kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje, Abdixhiku e ka akuzuar Vetëvendosjen, të cilësi i është referuar si “sekt”, se po provon që në çdo mënyrë të ndërtojë një sistem të vjedhjes së votave.
“E vërteta është se që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, e deri më sot, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave. I vjedhjes së tyre për ta thënë thjeshtë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndërkohë, takimet me diasporën janë intensifikuar. Si bazë kryesore është Gjermania dhe Zvicra, atje ku janë të përqendruar më së shumti mërgata e Kosovës.
Për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dështimit të dyfishtë të Kurtit për të formuar qeverinë e re, u diskutuan dy data, 21 dhe 28 dhjetor. Shumica e partive opozitare ishin për datën e parë, ndërsa VV kërkoj ditët e fundit të dhjetorit.
Kritikët e kanë lidhur këtë zgjedhje gjithnjë e me shumë me prezencën e madhe të emigrantëve në vend.
/abcnews.al/

