Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka këshilluar qytetarët e saj të mos udhëtojnë në Venezuelë, duke përmendur përkeqësimin e situatës në Karaibe dhe një paralajmërim të ngjashëm nga Autoriteti i Aviacionit Civil amerikan.
Situata në vendin e Amerikës së Jugut është e tensionuar dhe mund të përkeqësohet më tej papritur, sipas njoftimit për udhëtim të Berlinit.
Gjermania thotë se Venezuela drejtohet nga një regjim autoritar dhe paralajmëron se përveç bllokimeve të rrugëve dhe kontrolleve policore, kufizimet në rrjetet e telefonisë celulare dhe aksesin në internet janë të mundshme. Deklarata gjithashtu vëren se qytetarët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian janë arrestuar dhe akuzuar për mbështetje të terrorizmit nga autoritetet e Karakasit.
Forca të mëdha të ushtrisë amerikane janë grumbulluar në Karaibe dhe që nga shtatori sulmet ndaj anijeve që Uashingtoni thotë se transportonin drogë, kanë vrarë rreth 80 persona.
Federata amerikane e aviacionit civil kishte paralajmëruar për rreziqe të mundshme për udhëtimin ajror drejt vendit të Amerikës Latine dhe disa linja ajrore kanë vendosur të pezullojnë fluturimet nga Venezuela dhe drejt saj.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, tha se vendi i tij nuk do të dekurajohet nga “lufta psikologjike” e Shteteve të Bashkuara dhe sa i përket anulimit të fluturimeve, shtoi se për këdo që shkel rregullat zbatohet ligji.
Ndërkohë media amerikane Axios raporton se presidenti Donald Trump u ka thënë këshilltarëve të tij se po planifikon të flasë drejtpërdrejt me Nicolás Maduro.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk i kishte përjashtuar bisedimet me homologun e vendit të amerikës latine edhe më parë e po ashtu edhe Maduro.
Por Uashingtoni e ka akuzuar vazhdimisht Maduron se është në krye të kartelit de los Soles, që u shpall zyrtarisht një organizatë terroriste e huaj nga Departamenti i Shtetit më 24 nëntor.

