Hapjen e grup kapitullit të fundit të Shqipërisë në procesin e saj të integrimit, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti ja njeh si meritë kryeministrit të vendit Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ai shkruan se kjo është një arritje e jashtëzakonshme për Shqipërinë.
“Shqipëria arriti që për 12 muaj të hap të gjithë kapitujt negociues duke shënuar një rekord mbresëlënës. E ardhmja europiane është rruga e vetme për shqiptarët dhe për të gjithë të tjerët në Ballkanin perëndimor”, ka thënë Ali Ahmeti, kreu i BDI.
Sipas Ahmetit, Shqipëria duhet të shërbej si një shembull edhe për vendet e tjera të rajonit, të cilat fillimisht duhet të tejkalojnë sfidat mes njëra tjetrës.
“Maqedonia e veriut dhe Kosova duhet të ndjekin hapat dhe ti bashkëngjiten përkushtimit të Shqipërisë dhe të Malit të Zi për tu integruar në Bashkimin Europian”, u shpreh Ahmeti.
Kreu i BDI, vlerëson se në këto kohëra dhe rrethana të vështira për kontinentin dhe për botën, rruga europiane dhe rreshtimi me Bashkimin Europian është përcaktimi më i sigurt për kombet dhe rajonin.
Tirana zyrtare në 12 muaj arriti të hap edhe grup kapitullin e fundit, atë të “Bujqësisë dhe Kohezionit”, ndërsa synim ka vitin 2027, si kohë kur pret të përmbush aspektin teknik të të gjithë procesit.

