Drejtori i Kadastrës së Vlorë Genc Deromemaj ka dhëne dorëheqjen vetëm katër muaj pasi mori këtë detyre.
Ai ka njoftuar largimin ndërkohë që ende nuk dihen motivet e këtij vendimi te ish funksionarit të Partisë Demokratike në Vlorë.
Duke lënë pas angazhimin politik me të djathtën, ai mori drejtimin e Kadastrës në Vlorë në datë 24 qershor të këtij viti duke zëvendësuar drejtuesin e mëparshëm Erjon Galanxhi.
Ndërkaq në një zhvillim tjetër, drejtori i Kadastrës së Sarandës, Ilir Çibuku është shkarkuar nga detyra me vendim të drejtoreshës së përgjithshme Lorena Goxhobelli. Cibuku ishte në krye të Kadastrës së Sarandës që prej muajit qershor.
Shkarkimi është kryer me motivacionin për performancë të dobët në ofrimin e shërbimeve dhe trajtimin e aplikimeve të qytetarëve.
Burime nga institucioni thanë se vendimi për shkarkimin e drejtorit, është marrë pas një vlerësimi mbi eficencën dhe cilësinë e punës në zyrat vendore, ku Saranda është renditur ndër drejtoritë me volum të lartë ankesash dhe vonesash në procedura.
Pas shkarkimit të titullarit, është komanduar përkohësisht një punonjës i brendshëm deri në emërimin e drejtorit të ri.
/abcnews.al/

