Superiorja mbyllet të dielën për këtë vit. Një kampionat me shumë surpriza, nëse mendon ccfarë pritej para se të niste gara. Kjo javë mund të sjellë sërish ndryshime në renditje, ndërkohë është e vështirë të thuash që ka ndeshje të lehta në letër.
Në takimet e orës 13:00 vëmendjen kryesore do ta marrë Laçi-Tirana, për vetë pozicionin që kanë këto dy ekipe në tabelën e klasifikimit, si dhe për historikun e sfidave të vjetshme mes tyre. Kurbinasit me çdo kusht duan të triumfojnë, pas humbjes së pësuar në Ballsh. Bardheblutë nga ana tjetër shkojnë në Laç me moralin lart, pas dy fitoreve radhazi.
Bylisi ka mundësinë të ruajë vendin e dytë, pasi pret në shtëpi Luftëtarin. Gjithsesi në Ballsh e dinë shumë mirë se nuk do të jetë e lehtë. Me shumë mundësi trajneri Veljko Dovedan do ua kujtojë ndeshjen e parë në Gjirokastër. Në Vlorë Flamurtari do mundohet të ndalojë skuadrën e radhës në shtëpi. Teuta është kundërshtari dhe durrsakët do bëjnë çmos të marrin pikët e plota.
Superiorja mbyllet me dy ndeshjet e orës 17:00. Kukësi kryesues do të përballet me Skënderbeun. Korçarët po kalojnë një krizë rezultatesh dhe në ndeshjet jashtë kanë shfaqur gjithmonë probleme. Nga ana tjetër verilindorët kanë fituar 4 ndeshjet e fundit dhe duan të ruajnë ecurinë pozitive. Takimi tjetër i rëndësishëm luhet në “Selman Stërmasi”, aty ku Partizani pret Vllazninë “eksperte” të transfertave. /abcnews.al