Kapiteni i Bylisit, Valentino Murataj, ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm për ekipi ballshiot në këtë sezon. Edhe pse ende në një moshë të re, 23 vjeçari ka qenë një lider për ekipin e tij. Numri 10 i ekipit ballshiot dha sot një intervistë ekskluzive për ABC News, ku foli për objektivat e sezonit, fitoren ndaj Laçit, sekretet e trajnerit Dovedan dhe përgjegjësitë që ka si kapiten.
Fitorja kundër Laçit ishte shumë e rëndësishme, për shkak të pozitave në tabelë. A mund të themi se Bylisi nuk është më surprizë?
“Ishte shumë e rëndësishme për arsye se vinim nga një rezultat jo i mirë në Vlorë dhe fitorja ishte detyrim, duke parë që tabela është shume e ngjeshur. Ne e kemi treguar ndeshje pas ndeshje që jemi një ekip serioz për më lart se mbijetesa. Nuk mendoj se Bylisi është surprizë, por duhet ta pranojmë po i jep bukuri garës”.
Që nga ardhja e tij në krye të Bylisit, trajneri Dovedan po merr rezultate të shkëlqyera. Kush është sekreti i tij?
“Trajneri mundohet të marrë më të mirën tonë dhe besoj e ka arritur me sukses. Punon shumë me anën psikologjike dhe është ambientuar me kampionatin tonë”.
Murataj si kapiten, përgjegjësi e madhe apo krenari?
“Është një përgjegjësi e madhe, duke parë dhe moshën time. Më vjen mirë qe ekipi po ecën në rrugën e duhur. Duhet të punoj sa më shumë që të arrij ta ndihmoj skuadrën edhe me shume, sepse e kam përgjegjësi dyfish”.
Tani ndodheni në vend të dytë, vetëm tre pikë më pak se Kukësi kryesues. E synoni titullin kampion?
“Nuk mund të themi titulli kampion. Për ne, objektivi kryesor është të kapim Kupat e Europës. Nuk mendoj se ka ekip që bën ndonjë diferencë këtë vit, duke parë dhe paraqitjet tona mendoj se do jetë një Bylis konkurrues deri në javën e fundit për Kupat e Europës. Shpresoj ta arrijmë me sukses këtë objektiv qe i kemi vendosur vetes”, përfundoi Murataj./abcnews.al