Ervin Salianji nuk e priste vendimin e gjyqtarit Artan Gjermeni, i cili e dënoi me një vit burg pavarësisht se njëri prej prokurorëve kërkoi që dënimi mund të konvertohej me shërbim prove.
Pasi dha shpjegimet e tij ndaj akuzave të prokurorëve duke tentuar të vërtetonte sërish se biseda për trafikun e një saie lënde narkotike ku përfshihej vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte i vërtetë.
Pas pretencës, mbrojtjes së avokatëve dhe qendrimeve të ish-deputetit, në një seancë të gjatë, Gjermeni u tërhoq të merrte vendimin duke u kthyer disa minuta më pas, shkruan abcnews.al.
Fakti që nuk e priste të dënohej me burg u duk edhe nga reagimi i ish-deputetit pas shpalljes së vendimit.
Salianji nuk mundi ta shmangte nervozizmin duke tentuar ndërkohë që të ruajë kontrollin.
Ndërkohë, nga pas filluan reagimet e ish-deputetëve të tjerë demokratë, të cilët thirrën vazhdimisht “turp, turp, turp” ndaj gjyqtarit Artan Gjermeni, ndërsa theksuan se ky ishtë një vendim i ndikuar politikisht, raporton abcnews.al.
Pasi doli nga godina e gjykatës, ish-deputeti theksoi se asnjë vendim nuk do ta ndalte në thënien e të vërtetës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi u tregua edhe më i ashpër duke theksuar se kolegu i tij ishte dënuar nga banda e Lushnjes.
Çfarë ndodh tani me Ervin Salianjin
Pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari, pritet që brenda dy javësh të publikohen edhe argumentet ligjore që çuan trupën gjyqësore që të marrë një vendim të tillë.
Pasi të shpallen edhe argumentet duke e bërë vendimin publik, Salianjit dhe të tjerëve u lind e drejta që ta apelojnë atë në gjykatën e Apelit.
Këtë gjë e paralajmëroi sot vetë Ervin Salianji duke thënë se është dënuar nga banda e Lushnjes dhe se vendimin do ta apelojë.
Gjykata e Apelit duhet që të marrë çështjen në shqyrtim dhe të dalë me një vendim. Nëse gjykata e Apelit pranon të plotë vendimin e shkallës së parë, me të rënë çekiçi i gjyqtarit, ish-deputetit i vihen prangat në sallën e gjyqit dhe dërgohet në qeli.
Por kjo është një alternativë, pasi gjykata e Apelit mund ta pranojë të plotë, të pjesshëm ose ta rrëzojë fare vendimin e shkallës së parë.
Po ashtu, Apeli mund ta rikthejë sërish për gjykim dosjen “Babale” duke e rihapur nga fillimi.
Me të gjitha këto alternativa, çështja duket se sapo ka filluar dhe pritet që përballja të kalohet në Apel.
Çfarë është dosja “Babale”?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.
Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti. Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio është i Agron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. /abcnews.al