Heqja e depozitave të ujit, qytetarët pro vendimit por duan ujë 24 orë

schedule14:34 - 17 Dhjetor, 2019

schedule 14:34 - 17 Dhjetor, 2019

Pas vendimit të Bashkisë së Tiranës për të hequr depozitat e ujit nga tarracat e pallateve, qytetarët bien dakord, por ata kërkojnë t’u garantohet furnizimi me ujë 24 orë. Drejtori i Bashkëpronësisë në Bashkinë e Tiranës, Erind Bejko tregon si do të kryhet ky proces.

Kjo është panorama që të ofrojnë kryesisht pallatet e vjetra në Tiranë, me qindra depozita mbi tarraca.

Banorët në zona të ndryshme të Tiranës shprehen pro vendimit të Bashkisë për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve pas tërmetit, por ata kërkojnë zgjidhje për furnizim me ujë 24 orë.

Drejtori i Përgjithshëm i Bashkëpronësisë në Bashkinë e Tiranës, Erind Bejko tregon hapat që do ndiqen për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet.

“Në pallatet që ka administratorë, administratori sëbashku me kryesinë dhe asambleënë do marrin vendimin dhe do të heqin depozitat. Në disa raste ekstreme mund të shikojmë edhe mundësinë e vendosjes së depozitave nën tokë me një kafaz profesional betoni. Në rastet kur ka persona që kanë uzurpuar pjesë të pallatit për të bërë lulishte personale do të vendosen në këto vende. Thirrja ime sot për banorët e pallateve të vjetra që kanë administratorë, të ulen me administratorin, të bëjnë llogarinë dhe të fillojnë heqjen e menjëhershme të depozitave”, tha Bejko.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, shumë prej tarracave të pallateve të vjetra në Tiranë pësuan dëmtime dhe pesha e depozitave të ujit është vlerësuar si rrezik për sigurinë e jetës së qytetarëve./abcnews.al