Partitë politike në garë për zgjedhjet lokale të 19 tetorit kanë kohë edhe 16 ditë për të takuar qytetarët dhe për t’i bindur ata ti japin votën, në këtë garë që i ngjan më shumë një provë gjenerale për zgjedhjet e përgjithshme në vend.
Po përtej mbi 20 subjekte politike një tentative për të marre pjesë së jashtmi në këtë zhvillim elektoral, e bënë edhe Vetëvendosja e Albin Kurtit.
Për Kurtin kjo nuk është hera e parë që do të zgjerohet në rajon me ndikimin e saj, njëjtë si me tentativën e dështuar për të hapur një degë të partisë së tij në Tiranë.
Edhe pse ka zgjedhje lokale më 12 tetor në Kosovë dhe më shumë gjasë zgjedhje të tjera të parakohshme pas dështimit për formimin e qeverisë së re, Vetëvendosja ka dalë sërish në përkrahje të koalicionit VLEN në Maqedoni të Veriut.
Ka qenë ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit në Kosovë, Hysen Durmishi, që të martën mbrëma në një tubim të këtij koalicioni ka dhënë mbështetjen për njërin krah të shqiptarëve në Maqedoni, koalicionin VLEN ne bashkëqeverisje me kryeministrin nga VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski.
Kampi tjetër i shqiptarëve përfaqësohet nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim më në krye BDI e Ali Ahmetit dhe aleatët. Ky koalicion e hapi fushatën dy ditë më parë, ku nuk kaloi pa koment, fjalimi i Ahmetit me simbolika si ajo e shqiponjave apo zagarëve.
Rundi i parë i votimeve në zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut do të zhvillohet më 19 tetor, ndërsa i dyti do të mbahet dy javë më vonë, më 2 nëntor.
Fushata zgjedhore, e cila filloi të hënën, do të zgjat deri më 17 tetor në mesnatë, kur edhe do te filloj heshtja 24-orëshe para votimit më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.
Sipas Kodit zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet në gjysmën e dytë të tetorit. Qeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale. Brenda qytetit të Shkupit funksionojnë 10 komuna, të cilat kanë kompetenca të përbashkëta me Qytetin.
Këto janë zgjedhjet e 8 lokale që nga dalja e vendit nga ish-republikat jugosllave, të parat në 1996 dhe të fundit në 2021.
/abcnews.al/

