Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Arben Frrokut për rishqyrtim të çështjes ndaj tij. Frroku po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamaj, në shkurt të vitit 2013. Avokati i Frrokut i tha “ABC News” se do të vijojë betejën me drejtësinë në Strasburg.
Gjykata Kushtetuese i ka prerë çdo shpresë për pafajësi, Arben Frrokut, të dënuarit përjetë për vrasjen e kryekomisarit të policisë, Dritan Lamaj, në vitin 2013. Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e Frrokut për rigjykim të çështjes, pas pretendimeve të tij për antikushtetutshmëri në proces.
Në përfundim të një shqyrtimi në bazë dokumentesh, gjashtë gjyqtarë të Kushtetueses vendosën në disfavor të biznesmenit Frroku, me rezultatin 4 me 2.
Në ankimin e paraqitur në Kushtetuese përfaqësuesit ligjorë të vëllait të ish-deputetit Mark Frroku, pretendonin shkelje të Kushtetutës në gjykimin e dosjes në Gjykatën e Lartë. Sipas avokatëve, disa prej gjyqtarëve që lanë të pandryshuar dënimin me burgim të përjetshëm ishin në papajtueshmëri ligjore, pasi kishin marrë pjesë më herët në shqyrtimin e një prej kërkesave për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Duke e konsideruar çështjen të paragjykuar, avokatët kërkonin rigjykim.
I kontaktuar nga “ABC News” avokati Tonin Prendi pohoi se do të vazhdojnë betejën ligjore me drejtësinë në gjykatën e Strasburgut.
Arben Frroku u arrestua në Selanik, pak ditë pas vrasjes së kryekomisarit Lamaj. Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda e shpalli atë të pafajshëm dhe e liroi nga qelia në prill 2015. Disa muaj më vonë Apeli i Krimeve vendosi dënimin e tij me burgim të përjetshëm, vendim që u la i pandryshuar dhe nga Gjykata e Lartë, ndërkohë që Frroku ishte arratisur. Vendimi i Apelit u la i pandryshuar dhe në Gjykatën e Lartë. Frroku u arrestua në Holandë në Prill 2016-s, ku qëndronte me një identitet të rremë dhe aktualisht pritet ekstradimi i tij në Shqipëri për vijimin e vuajtjes së dënimit./abcnews.al