Në fushën e lojës gjithçka po shkon fjollë.
Bajerni e ka rifituar shpejt dhe pa lëkundje statusin e superfuqisë në Gjermani, si dhe e ka nisur Championsin me fitore 3-1 ndaj Çelsit, veçse në klubin e madh gjithmonë ka arsye për pakënaqësi.
Dikur quhej “FC Hollivud”, ndërsa sot përplasja në stadium vjen për shkak të një fanele të re.
Në ndeshjen e Bundesligës ndaj Verderit, fituar 4-0 në “Alianc Arenë” të Mynihut, tifozët shprehën një pakënaqësi të thellë.
Ata shpalosën një banderolë ku shkruhej se “fanela ka më shumë rëndësi se gjithçka tjetër”!
Çfarë ka ndodhur?
Klubi bavarez ka hedhur në treg bluzat që I kushtohen Oktoberfestit, pra festës së birrës në tetor, dhe siç shkruan e përditshmja “Bild”, ka modifikuar disi stemën apo emblemën e klubit.
Për më tepër, fanelat e reja me të cilat Bajerni luajti ndaj Verderit, janë me ngjyrë bezhë dhe të blertë, ndërsa tradicionalisht kanë qenë të kuqe me vija të bardha.
Nuk është e qartë se përse është krijuar një uniformë e tillë, por siç komentojnë mediat në Gjermani, rëndësi ka që në fushë gjithçka shkon shumë mirë.
Bajerni e mundi Verderin 4-0 me dy gola nga Harri Kejn, dhe nga një shënuar nga Tah e Laimer.
Bavarezët patën epërsi të plotë, ndërsa kryesojnë Bundesligën me 15 pikë të plota, me 5 fitore në 5 ndeshje deri tani./abcnews.al

