Analisti Skënder Minxhozi thotë se PD ndodhet në amulli të plotë, teksa ende nuk ka një kandidat për Bashkinë e Tiranës. Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Minxhozi u shpreh se kreu i PD, Sali Berisha nuk ka treguar hap konkret për të bashkuar opozitën në lidhje me garën për kryeqytetin.
Minxhozi shtoi se në çdo vend demokratik, opozita duhet të jetë e gatshme për zgjedhje, në çdo kohë.
“PD është në amulli të plotë. Është paradoksale të kemi një opozitë që nuk do zgjedhje. Është e vetmja rrugë si se ajo mund të rrëzojë qeverinë dhe të marrë pushtetin. Kemi opozitë që nuk do zgjedhje dhe qeveri që nuk i thotë jo zgjedhjeve. Palët duhet të jenë të gatshëm të votohen nga publiku shqiptar. Mënjanimi nga opozita i një gare elektorale, tregon dobësinë dhe gjendjen kaotike ku ndodhet sot kjo opozitë.
Tirana është ambient më i koklavitur nga pikëpamja elektorale, ku elektorati është më i kualifikuar. Është i vetmi vend ku shifrat nuk shkojnë në skaje, nuk ka diferenca të mëdha. Është një ambient që e mendon votën.
Në kampin opozitar, mirë që figurat më të votuara, kanë thënë se kërkojnë projekte 4 vjeçare, thonë jo, por këtu duket haptazi dhe shumë qartë, një apati dhe pasivitet që nuk duhet të ishte edhe nga elita partiake, dhe sidomos nga Berisha. Nga mbetur në inercinë e 11 majit. Berisha, deri tani nuk ka treguar asnjë hap konkret.”, theksoi ai./abcnews.al

