TIRANË– Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump u shpreh se Ukraina mund të fitojë luftën kundër forcave ruse. Kjo deklaratë e tij ka ngjallur vëmendje dhe fjalët e tij po analizohen me kujdes.
Kolonel Çlirim Toci, i ftuar në “War Report” tha se fjalët e Trump tregojnë se ka një kthim 180 gradë. Sipas tij, duke parë deklaratën e Trump, lë të kuptohet se Ukraina mund të fitojë luftën, por gjithsesi ky sukses nuk është i garantuar.
“Duke parë frontin e betejës dhe situatën politikë në Evropë, deklarata e Trump është kthim 180 gradë për luftën në Ukrainë. Lufta mund të fitohet nga Ukraina, por kjo nuk është e garantuar. Ukraina ka bërë një progres të madh në frontin e luftimit, kemi ushtarët përgatitur dhe më të mirëpajisur”, tha Kolonel Çlirim Toci.
Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, theksoi se Presidenti Trump me fjalën e tij i dërgoi mesazh të qartë Rusisë, duke i kujtuar se është koha për t’u ulur në tavolinë për të gjetur paqe.
“Deklarata e tij, ishin të një karakteri për ti dhënë mesazh Rusisë, se nëse ato nuk kthehen në tavolinën e bisedimeve, pra nëse ju nuk pranoni ofertën time për një paqe, unë po bëj një kundërofertë: që Evropa mund të përdorë armët e SHBA dhe mund të luftojnë bashkë me Ukrainën kundër Rusisë.”, tha ai.

