Presidenti i Koresë së Jugut ka thënë se do të pranonte një marrëveshje midis Donald Trump dhe Kim Jong Un, në të cilën Koreja e Veriut do të pranonte të ngrinte prodhimin e armëve të saj bërthamore, në vend që t’i hiqte ato.
Lee Jae Myung i tha BBC-së se Koreja e Veriut po prodhonte 15-20 armë bërthamore shtesë në vit dhe se një ngrirje – si “një masë e përkohshme emergjente” – do të ishte “një alternativë e realizueshme dhe realiste” ndaj denuklearizimit për momentin.
Koreja e Veriut e shpalli veten fuqi bërthamore në vitin 2022 dhe u zotua se nuk do të heqë dorë kurrë nga armët e saj.
Përpjekjet e mëparshme për ta bindur Phenianin të heqë dorë nga arsenali i tij kanë dështuar dhe që nga viti 2019 ka refuzuar të gjitha ftesat për t’u rikthyer në bisedime.
“Për sa kohë që nuk heqim dorë nga qëllimi afatgjatë i denuklearizimit, besoj se ka përfitime të qarta nëse Koreja e Veriut ndalon zhvillimin e saj bërthamor dhe raketor”, tha Lee Jae Myung.
“Pyetja është nëse vazhdojmë me përpjekjet e pafrytshme drejt qëllimit përfundimtar [të denuklearizimit] apo vendosim qëllime më realiste dhe arrijmë disa prej tyre”, shtoi Lee./abcnews.al

