Tirana mirëpriti të dielën aktivitetin Triathlon një garë që bashkon tri sporte në një event të vetëm not, çiklizëm dhe vrapim.
Qindra sportistë, profesionistë dhe jo vetëm, morën pjesë dhe kaluan në një rrugë të caktuar nga Bashkia e Tiranës, itenerar, i cili u shoqërua nga forca policie për të siguruar mbarëvatjen e aktivitetit.
Starti i garës ishte pranë Parkut Helen, afër liqenit të Farkës, ndërsa më pas gara vijojë në disa rrugë të ndryshme në qytet.
Për të siguruar rrjedhshmërinë dhe sigurinë gjatë aktivitetit, Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit hartuan një plan masash për organizimin e trafikut dhe lëvizjes së automjeteve.
Të paktën 150 efektivë të policisë, përfshirë ato të bashkisë, rendit, drejtorisë por edhe Forcat Shqiponja u vendosën në rrugët e bllokuara për të siguruar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportive.
Një nga masat kryesore ishte edhe ndalimi i qarkullimit në rrugët ku u zhvillua gara, nisur nga ora 08:00 deri në 13:00 të së dielës.
Rrugët që u bllokuan përfshinë zonën përreth liqenit të Farkës, disa pjesë të Shkozës, bulevardet “Zhan D’Ark”, “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri” deri tek Pallati me Shigjeta.
Gjithashtu, disa linja urbane të transportit publik u devijuan dhe disa të tjera u pezulluan përkohësisht gjatë kohës së garës.
Efektivët e policisë të vendosur në këto pika kyçe u kujdesën që qytetarët të drejtoheshin në rrugë alternative për të vijuar me aktivitetet e tyre pa krijuar kaos apo trafik të rënduar.
/abcnews.al

