HAGË-Një ditë përpara fillimit të mbrojtjes së Hashim Thaçit, mijëra qytetarë nga Kosova dhe vende të ndryshe të Europes si Gjermania, Franca apo Italia morën pjesë në protestën në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës.
Me lejen e autoriteteve policore në Hage protesta u mbajt në orën 14:00 dhe zgjati një orë. Tubimi ishte paqësor ndërsa në qiellin e Hagës valviteshin flamujt kuq e zi me në zemër simbolin e UÇK dhe thirrjet për vënien në vend të drejtësisë së vonuar për krerët e UÇK që ndodhen prej 5 vitesh në paraburgim.
Por protestuesit nuk priten orarin zyrtar për t’u grumbulluar. Ata ndaluan fillimisht përpara dhomave të specializuara të Hagës ndërsa dhanë arsyetimin e tyre, se çfarë i ka shtyrë për të marre pjesë në këtë organizim.
Edhe pse protesta u mbajt ne Waterpark, disa minuta larg dhomave të specializuara, pjesëmarrësit në organizim bënë edhe një kalim të fundit përpara godinës.
Protesta për lirimin e Hashim Thaçit në Hagë, vjen në një moment delikat të procesit gjyqësor. Një proces, drejtësia e te cilit është e paragjykuar nga disa fakte që komprometojnë rolin e prokurorëve. Por edhe në një moment shumë të vështirë për Kosovën dhe qeverinë Kurti, marrëdhëniet e të cilit tashmë, janë zyrtarisht të ngrira me Uashingtonin.
Kjo kur zyrtarë të lartë amerikanë kanë bërë thirrje gjithashtu për lirimin e Hashim Thaçit. Një rikthim i tij në liri, do ishte një rikthim i tij në politikë. Ndaj kjo protestë e të dielës në Hagë, nuk ishte thjesht për lirimin e Thaçit, por një britëm popullore për një ndryshim edhe në Prishtinë.
Më poshtë, ABC News sjell zërin e disa protestuesve nga Haga:
“Vij nga Drencia. Kemi ardhur të përkrahim udhëheqësit e luftës sonë dhe presidentin tonë Hashim Thaçin, të madhin Kadri Veselin dhe të gjithë të tjerët, të cilët na mungojnë shumë. Diçka e papritur, që populli ynë nuk e ka miratuar këtë ditë, sepse kemi bërë një luftë shumë të drejtë, një luftë jo të barabartë”
“Kemi ardhur për drejtësi, për UÇK se na kanë bërë të padrejta dhe për këtë kemi ardhur për të protestuar. Më merr mendja që do lirohen”
“Jetojmë që 35 vite në Gjermani. Jemi organizuar me autobusë për të mbrojtur një kauzë të çlirimtarëve, të cilët na sollën lirinë, por njerëzit me veprime të këqija i akuzuan çlirimtaret dhe shpresojmë që do Zoti na kthehen”, tha një tjetër.
“Ne, populli shqiptar i Kosovës, është histori e madhe, që pas 500 vitesh, arriti Hashim Thaçi me shokët e vet, me luftëtarët e lirisë që ta bëjë Kosovën e pavarur. Me deklarata të rrejshme kundër çlirimtarëve tanë, për ata po zgjat procesi kaq gjatë. Apeloj që populli shqiptar të bëhet sa më shumë këtu në Hagë dhe t’i japim mesazh të madh botës, Amerikës, që sa më shpejt të lirohen çlirimtarët”/ abcnews.al

