Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 1 pas mesnate në qytetin e Kukësit, në zonën e njohur si “Sheshi Agjencia”.
Një automjet tip “Benz”, ku udhëtonin tre të rinj, ka humbur kontrollin dhe është përplasur fillimisht me disa automjete të parkuara, për të përfunduar disa metra më poshtë, jashtë rrugës.
Në njoftimin zyrtar, policia sqaron se në makinën që drejtonte 21-vjeçari pa patente, udhëtonin dhe dy pasagjerë të cilët në momentin e përplasjes, shoferi I ka braktisur.
I riu u përplas me disa makina dhe u largua duke braktisur automjetin, ndërsa policia e Kukësit thotë se po vijon punën për kapjen e tij.
Fillimisht, të rinjtë u dërguan në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit, ku morën ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të dëmtimeve të rënda, ata u transportuan më pas drejt spitalit të Prizrenit. Gjendja e njërit prej pasagjerëve u përkeqësua si pasojë e një hemorragjie të brendshme në kokë dhe dëmtimeve të organeve të brendshme. Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ai është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në kujdes intensiv.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ardhur si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe humbjes së kontrollit nga drejtuesi i automjetit.
Ky është aksidenti i dytë i rëndë në qarkun e Kukësit, pasi vetëm dy ditë më parë, në Has një përplasje mes dy makinave I mori jetën dy personave.
/abcnews.al

