Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, përsëritën qëndrimet e mëparshme se “marrëdhëniet e ndërlikuara në Bosnje dhe Hercegovinë janë pasojë e ndërhyrjes së madhe të Perëndimit në punët e brendshme të saj”.
Lavrov e mirëpriti Dodikun në Moskë të martën.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Lavrov i përsëriti kritikat e tij ndaj përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, Christian Schmidt, duke thënë se ai “nuk ka mandat” nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe se “po përpiqet të imponojë vendime dhe ligje me urdhër të Perëndimit”.
“Ne dënojmë fuqimisht përpjekjet për t’i larguar nga pushteti udhëheqësit serbë që janë të padëshirueshëm për Perëndimin, dhe veçanërisht bashkëbiseduesin tonë të sotëm, mikun tonë, presidentin legjitim të zgjedhur ligjërisht të Republika Sërpska, përmes rasteve të sajuara penale”, tha Lavrov.
Dodikut iu hoq mandati si president i entitetit serb të Bosnjës nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës, pasi Gjykata e Apelit e Bosnjës e mbajti në fuqi dënimin e ndaj tij nga shkurti me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet.
Ai u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje.

