Në prezantimin e paketës së masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, kryeministri Edi Rama tha se do të vijojë kursi i pandalshëm për vendosjen e rendit të ri urban dhe çlirimin e hapësirave publike në vend. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se aksioni ndaj ndërtimeve pa leje nuk do të ndalet vetëm me prishjen e strukturave të paligjshme, por do të synojë çrrënjosjen e vetë fenomenit të zaptimit.
Ai paralajmëroi masa të reja të ashpra ndaj shkelësve, duke nënvizuar përgjegjësinë e të gjithë zinxhirit të përfshirë në ndërtimet informale, nga arkitektët deri te ndërtuesit, të cilët do të përballen me ndëshkime konkrete, përfshirë përjashtimin nga e drejta për të ndërtuar.
“Dua të theksoj se kthesa e re që ne kemi marrë në rrugën e gjatë për vendosjen e rendit të ri për territorin për çlirimin e hapësirave publike nuk do të mbarojë thjesht për të rrëzuar ato ngrehina të zaptimit, por vetë fenomene. Kjo do të vazhdojë pa u ndaluar, me këmbëngulje, sepse nuk ka Shqipëri 2030 me ndërtime pa leje, saqë arrijnë në pikën që bllokojnë komunitetin për të hyrë e për të dalë. Ne jemi shumë të qartë për faktin që ne jemi një vend mesdhetar, turistik, dhe të kemi tavolina e karrige jashtë, por e gjitha kjo në bazë të një sistemi. Për çdo karrige që do të vendoset një karrige do të konvertohet me mbjelljen e një peme. Përveç rregullores do të krijojmë dhe kushtet për të asistuar objektet që do të vendosin me leje dhe norma të qarta, strehë apo tendë, por nuk bën vaki më me platforma dhe me hapje të platformave deri te rruga. E dyta është ajo që u tha këtu për paligjshmërinë, e ndërtimit të ligjshëm, është fenomen që do e ndalim njëherë e mirë. Ne do të bëjmë të gjitha këto ndryshime, duke i ngarkuar me përgjegjësi të drejtpërdrejtë që janë hallkat e ndërtimin, nga arkitekti etj. Të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie, ku në qendër është ndërtuesi, të cilët do të hynë në listën e zezë dhe nuk do të marrin më një ndërtim”, tha kryeministri Edi Rama./abcnews.al


