Me përmbylljen e 11 majit, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi kërkoi një reformë të plotë zgjedhore nga Parlamenti i ri me 14 propozime nga ana e tij.
E nisi me depolitizim të administratës zgjedhore, pasi për komisionerët e fundit politikë ka gati dosjen për në prokurori.
“Komisionet me përfaqësim politik ishte dështim. Do i çojmë në prokurori komisionerët që shkelën ligjin”
Nuk la pa faj partitë politike, të cilat me këtë ligj nuk janë më të kontrollueshme.
“Ligji për partitë politike do ndryshim radikal. Si për financimet, pjesemarrjen, sanksionet e ndëshkimet kur shkelin ligjin”
Ndërsa kërkoi më shumë fuqi për institucionin e tij.
“Duhet fuqizim i kompetencave te KQZ. Ndarje më e mirë e kompetencave mes KQZ, rregullatorit, KAS. Riorganizim.”
I pakënaqur ishte me numërimet dhe ankimimet. Kërkoi të mos humbet më kohë me transportim kutish dhe Kolegj Zgjedhor.
“Të kthehemi në kohën kur numërimi bëhej në qendra të votimit. Për mua Kolegji Zgjedhor mos presë më ankimimet, ta bëjë një instancë gjyqësore”
Për votimin nga brenda, i kërkoi politikës të sqarojë njëherë e mirë ku dhe sa do zgjerohet votimi elektronik.
Kurse bastin e tij personal, votimin nga jashtë e mbrojti me vendosmëri. Por herës tjetër, do ishte mirë mos bëhej me poste, por me internet.
“Votimi nga jashtë ishte gjëja më pozitive. Për mua do ishte më efikase, më me pak kosto të bëhej me internet”
Por çfare note i vendos Celibashi zgjedhjeve të 11 majit?
“Notën ia vendos raporti i OSBE. Për mua këto zgjedhje i bën një vend kandidat për në BE”
Se kur do kemi zgjedhje të tjera, të parakohshme në bashkitë pa kryetar, nuk dihet. Serish për këtë vendos politika. Me të Celibashi i ka shkëputur kontaktet.
“S’kam asnjë komunikim për këtë çështje”
Por pikërisht nga politika, propozimet e Celibashit morën goditjen e parë.
“Tani c’dalin nga gjithë këta janë nga zyra e shtypit e Edi Ramës. Si Celibashi si Bajrami, një zyrë ka.”

