Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

‘Krahu i djathtë’ i Licëve në Shkodër/ Kush është Barush Bregu, i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale

schedule11:58 - 9 Shtator, 2025

schedule 11:58 - 9 Shtator, 2025

Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorët e autorit Ragip Gila i cili kreu atentatin ditën e djeshme ku mbetën dy persona viktima dhe dy të tjerë të plagosur.

Një prej tyre është Barush Bregu alias Bajram Bregu, i njohur si krahu i djathtë i Ibrahim Licit në Shkodër, i dyshuar për një sërë ngjarjesh kriminale në Shkodër për llogari të tyre.

Barush Bregu është një kontigjent i njohur për policinë. Në 2016 është dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje.

Në vitin 2018, policia gjatë një operacioni në banesë i gjeti një automatik kallashnikov. Barush ose Bajram Bregu vitin 2018 gjatë ndjekjes nga policia e Shkodrës arriti që t’i shpëtojë ndërsa përplasi me mjetin e tij dy patrulla të policisë duke iu shpëtuar ndjekjes.

Ai u arrestua në Tiranë në banesë me qera tek “Komuna e Parisit”. Barush Bregu dyshohet nga policia e Shkodrës edhe për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale sëbashku me Ibrahim Licin. Policia dyshon se Barush Bregu ka ndihmuar shokun e tij Ibrahimin në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali por edhe në ngjarje të tjera kriminale.

Çfarë ndodhi dje (8 shtator) në Shkodër?

Shkodra u trondit mëngjesin e kësaj të hëne nga një atentat mafioz që la dy të vrarë dhe dy të plagosur në ambientet e një lokali pranë bashkisë së qytetit. Shënjestër e atentatit ishte Erogen Brajoviç, allias Vaso, i cili është anëtar i fisit të Bajrit, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri). Nga atentati mbeti e plagosur edhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Ndërkohë, viktimë mbeti Armando Pali, dhe Liridon Kraja, truproja e Erogen Brajoviç. Autori 29-vjeçar, Ragip Gila u vu në pranga.

Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur autori qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave.

Në momentin kur qëlloi drejt lokalit, i riu ka qenë me një motor të zi, ndërsa dyshohet se ka vepruar i vetëm. Pas breshërisë së plumbave, autori është larguar me motor, të cilin më pas e ka braktisur. Nën kërcënimin e armës, ka grabitur një mjet tip “BMË” ngjyrë gri dhe është larguar.

Ky është ndër të paktat raste, kur në atentate të tilla të mirëmenduara, autori bie në pranga në kohë rekord. Dhe kjo, pasi plani nuk i shkoi si duhet. Autori, me makinën e grabitur, u aksidentua në dalje të qytetit të Shkodrës në tentativë për t’i ikur policisë. Autori ka braktisur automjetin dhe ka tentuar që të ikë në këmbë drejt lumit Kir, por është kapur nga forcat Shqiponja.

Të riut iu sekuestrua edhe arma me të cilën kreu masakrën. 29-vjeçari sapo kishte dalë nga burgu, pasi në vitin 2023 ishte arrestuar me arsenal armësh.Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt. Përveç të vëllait, edhe emri i Erogenit ka dalë si i përfshirë në vepra kriminale. Ndërkohë, viktima Armando Pali nuk njihet si person me precedent penal. Më herët ai ka qenë anëtar i këshillit Bashkiak bashkë me Erogen Brajoviçin. Pali ka pnuar edhe në IMT-në e Shkodrës më herët. Një grup hetimor është ngritur për të zbardhur masakrën që i mori jetën 2 personave dhe la të plagosur 2 të tjerë. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, por nuk përjashtohet pista e hakmarrjes duke marrë parasysh se Erogen Brajoviç është anëtar i fisit të Bajrave. Ngjarja vjen pak ditë pas vrasjes së 34-vjeçarit Kristian Kola, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 4 shtatorit në një lokal në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!