TIRANË- Në nisje të sezonit të ri televiziv, gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Real Story” Sokol Balla ka kujtuar kolegun e ndjerë Artur Zhejin, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, në moshën 65-vjeçare.
Në mesazhin përkujtues, gazetari Balla tha se Artur Zheji nuk do t’i mungojë vetëm familjes dhe miqve, por edhe ekranit të televizionit ABC News, te i cili drejtoi emisionin “360 gradë”.
“Çdo të hënë dhe të enjte i lija stafetën Zhejit. Për fat të keq, jeta është e tillë. Arturi u nda shumë shpejt nga jeta.
Unë kam qenë jashtë dhe nuk kam patur mundësinë dhe këto sekonda të fundit do doja të ndaja publikisht, megjithëse me vonesë dhimbjen me familjarët, të afërmit dhe miqtë e Zhejit.
Zheji padyshim u mungon atyre, por Arturi do t’i mungojë sigurisht dhe këtij ekrani”, theksoi gazetari Sokol Balla./abcnews.al

