Në Apenine po ndihen gjithnjë e më mirë. Katastrofa me shifrat 3-0 në Norvegji sikur është lënë pas, dhe tifozëve po u kthen kombëtaren një njeri që quhej “luftëtari”.
Xhenaro Gatuzo, trajneri i ri i Të Kaltërve dhe pasardhësi i Luçiano Spaletit, arriti fitoren e parë të rëndësishme, 5-0 ndaj Estonisë në Bergamo për eliminatoret e Botërorit.
Edhe pse u desh të pritej shumë, e goli i parë të shënohej në 58’, sërish triumfi ishte bindës. Natyrisht, nuk është Estonia standardi për të matur nivelin e katër herë kampionëve të botës, por gjithsesi statistikat ngushëllojnë mjaft.
Italia shënoi 5 gola, bëri plot 40 gjuajtje, e ky mund të jetë ndonjë rekord botëror, e prej tyre 13 ishin në kuadrat, ndërsa topi u mbajt 70 për qind.
Golat u shënuan nga Kean, Retegi në 69’ e 89’, Raspadori në 71’ dhe Bastoni në minutën e dytë shtesë. Është ende vetëm fillimi, dhe ekipi është në vendin e tretë në grupin I, me vetëm 6 pikë, prapa Norvegjisë që ka 12 dhe Izraelit me 9.
Ndeshja vendimtare është ajo e së hënës pikërisht në Izrael, ku kërkohet fitorja. Franca, ndërkaq bëri detyrën në atë që quhej fusha e Ukrainës në grupin D.
Nënkampionët e botës fituan 2-0 në stadiumin “Miejski” të Vroclavit në Poloni, pra në vend neutral, ndërsa golat u shënuan nga Olise dhe Kilian Mbape, I pari në minutën e 10-të, dhe I dyti 8 minuta para fundit.
Në ndeshjet e tjera, Çekia fitoi 2-0 në Podgoricë me Malin e Zi e Kroacia në Ishujt Faroe 1-0 në Grupin L, Izraeli arriti një fitore bindëse 4-0 në Moldavi në grupin I, ndërsa Islanda shkatërroi Azerbajxhanin 5-0 në grupin D.
/abcnews.al/

