Giorgio Armani, një nga ikonat më të mëdha të modës italiane dhe botërore, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur kompania e tij përmes një njoftimi zyrtar për mediat.
“Me dhimbje të thellë, grupi Armani njofton ndarjen nga jeta të themeluesit, vizionarit dhe motorit të palodhur të kompanisë: Giorgio Armani. Zoti Armani, siç është quajtur gjithmonë me respekt dhe admirim nga punonjësit dhe bashkëpunëtorët e tij, u shua i qetë, i rrethuar nga njerëzit e dashur”, thuhet në deklaratë.
Ai ka qenë aktiv deri në ditët e fundit të jetës, duke iu përkushtuar punës së tij, koleksioneve dhe projekteve të shumta që vazhdonin të zhvilloheshin.
“Gjatë viteve, Giorgio Armani krijoi një vizion që e tejkaloi modën, duke ndikuar në çdo aspekt të jetesës. Ai parashikoi kohën me qartësi dhe pragmatizëm të jashtëzakonshëm. E udhëhoqi gjithmonë një kureshtje e pashtershme dhe një vëmendje e veçantë ndaj realitetit dhe njerëzve. Krijoi një dialog të hapur me publikun, duke u bërë një figurë e dashur dhe e respektuar për aftësinë e tij për të komunikuar me të gjithë. Gjithmonë i ndjeshëm ndaj nevojave të komunitetit, u angazhua në shumë drejtime, veçanërisht për qytetin e tij të dashur, Milanon.”
Kompania Giorgio Armani, me një histori prej 50 vitesh, është rritur me pasion, durim dhe përkushtim. “Pavarësia në mendim dhe veprim ka qenë gjithmonë shenja dalluese e Giorgio Armanit. Sot dhe gjithmonë, kompania mbetet pasqyrë e këtij shpirtërimi.
Familja dhe punonjësit do të vazhdojnë ta çojnë përpara grupin duke respektuar dhe ruajtur këto vlera. Ne jemi ndjerë gjithmonë pjesë e një familjeje. Sot, me dhimbje të thellë, ndjejmë boshllëkun e lënë nga ai që e themeloi dhe e rriti këtë familje me vizion, pasion dhe përkushtim. Por është pikërisht në frymën e tij që ne, punonjësit dhe familjarët që kemi punuar gjithmonë pranë Zotit Armani, angazhohemi ta mbrojmë atë që ai ndërtoi dhe të vazhdojmë rrugën e tij me respekt, përgjegjësi dhe dashuri”, përfundon deklarata, e firmosur nga punonjësit dhe familja e tij.
Arkivoli me trupin e stilistit do të vendoset për homazhe publike nga e shtuna, 6 shtator, deri të dielën, 7 shtator, nga ora 09:00 deri në 18:00, në Milano, në adresën Via Bergognone 59, pranë Armani/Teatro./abcnews.al

