Nga një cep i botës në tjetrin. Futbollistët shqiptarë e treguan veten edhe këtë herë, të paktën disa prej tyre, ndonëse jo që të gjithë festuan në fund.
Heroi tragjik ishte Myrto Uzuni pasi sulmuesi kuqezi bëri një paraqitje të madhe në ligën profesioniste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pësuar humbjen 2-3.
Uzuni ishte autor i golit të barazimit të përkohshëm 1-1 në minutën e 39-të, në duelin që skuadra e tij Ostin, e luajti në Montreal. Kanadezët ishin disi më lart dhe morën epërsinë 3-1, ndonëse ylli i kombëtares nuk u dorëzua.
Në 77’, ai shërbeu pasimin për golin e shënuar nga shoku I ekipit, Volf. Shqiptari ka 3 gola e 2 asistë në 21 ndeshje, ende pak për nivelin e tij. Në Ligën e Parë të Turqisë lojtarët tanë ishin më të lumtur.
Dy lojtarët e kombëtares, Arlind Ajeti dhe Taulant Seferi shënuan gola dhe fituan ndeshjen. Bodrumspor mundi 3-1 rivalin Sakariaspor, edhe pse pësoi gol që në fillim.
Dhe pse fillimisht kaluan në avantazh miqtë e Sakariaspor, Bodrumspor vendosi baraspeshën në pjesën e parë. Në të dytën ishin Ajeti dhe Seferi që morën skenën. Fillimisht Ajeti në minutën e 60-të dhe më pas Seferi, vulosën fitorën për javën e tretë të Ligës së Parë.

