Në Gjykatën Themelore në Prishtinë eshte dorezuar sot aktakuza e Prokuroria Speciale te Kosovës kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-’99.
Në një konferencë për media në Prishtinë, prokurori që ka hetuar rastin, Atdhe Dema, tha se aktakuza është përgatitur pas pesë vjetëve hetime intensive.
“Aktakuza është ngritur për krime lufte kundër popullsisë civile, e cila lidhet me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës janar – qershor 1999 gjatë luftës në Kosovë. Që të gjithë 21 të dyshuarit kanë pasur kontroll të plotë mbi ushtrinë e atëhershme jugosllave dhe mbi policinë serbe dhe nuk i kanë parandaluar pjesëtarët e tyre nga kryerja e krimeve të luftës kundër popullsisë në Kosovë.
Këto veprime përbëjnë pjesë të një fushatë të gjerë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863.000 civilëve shqiptarë, sipas statistikave zyrtare.”
Veprimet për të cilat ata akuzohen përfshijnë shkatërrimin e pronës civile, sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike, të cilat kanë rezultuar me dëbim të detyruar masiv të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje.
Prokuroria ka bërë kërkesë për fletarreste ndërkombëtare për të dyshuarit, për të cilët tha se janë të paarritshëm për prokurorinë në këtë kohë.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./abcnews.al

